Në javët e fundit, efektivët e Policisë së Kosovës që operojnë në veri të vendit kanë qenë të sulmuar nga Beogradi zyrtar që kryesisht lidhen me pamundësinë për të mbrojtur qytetarët serbë ose për dhunë ndaj të njëjtëve.
Për ekspertët e sigurisë kjo është pjesë e propagandës së Serbisë që kërkon të mbajë situatën të tensionuar në çfarëdo mënyre por edhe për të ndikuar te qytetarët të mos bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.
“Insinuata të tilla dhe forma të tilla të veprimeve të cilat ata mundohen të paraqesin ose në formë të nxënësve kinse të sulmuar ose të formave të ndryshëm të ngacmimeve të tjera këto janë një formë e luftës speciale të cilën mundohet Serbia ta bart brenda në Kosovë dhe në mënyrë që të krijohet një imazh jo i mirë për Policinë e Kosovës”, tha Refki Morina, nënkolonel i policisë në pension
“Është një polici demokratike, me suksese më të mëdha në rajonin e Ballkanit, është dëshmuar me fakte të pakontestueshme andaj çdo kush që ka ndonjë problem janë institucionet për t’u lajmëruar dhe çdo gjë do të trajtohet me seriozitetin dhe profesionalizmin më të madh”, shtoi Arben Dashevci.
Përpjekjet për të paraqitur Kosovën si vend diskriminues ndaj serbëve lokalë dhe për të nxitur po të njëjtët për veprime që mund të cenojnë sigurinë shihet si pjesë e propagandës agresive serbe ndaj Kosovës.
Kjo përpos së është bërë duke sulmuar efektivët, së fundi po bëhet edhe me narrativa për shkatërrimin e shtëpive të serbëve në veri apo me ndërrimin e emrave të rrugëve në komunat veriore.
“Ne e dimë çfarë pushteti ka Serbia një pushtet hegjemonist dhe qëllimet kryesore të saj janë që vendet e Ballkanit vazhdimisht në një mënyrë ose tjetër të sulmohen vazhdimisht nga pushteti i tyre për arsye se mund të jenë Serbia si mashë e Rusisë dhe me katalogun e Rusisë ajo mundohet të luajë në vendet e Ballkanit e sidomos me Kosovën”, shton Morina.
Institucionet e sigurisë në Kosovë thonë se situata në veri është e qetë por e brishtë për shkak të mundësisë që të ketë ndonjë incident. (A2 Televizion)
Fushata agresive serbe, Beogradi me katalogun e Rusisë në veri
