
Gjeneratorët u rindezën në Prishtinë e zona të tjera të vendit, këtë të mërkurë. Kjo, për shkak të reduktimeve në furnizimin me energji elektrike.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka njoftuar se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit energjetik. Sipas KOSTT, janë detyruar të kufizojnë ngarkesën për të ruajtur sigurinë e sistemit.
Të njëjtën e ka konfirmuar edhe KESCO, si furnizuese e konsumatorëve me energji elektrike.
Si pasojë, disa lagje në kryeqytet për kanë mbetur pa rrymë për disa orë, paraditën e së mërkurës.
Në këto rrethana, qytetarët janë shumë të pakënaqur.
Qytetari Hasim Ademi deklaroi shkurt se Kosova është në gjendje të rëndës, ndërsa fajtor e sheh shefin e qeverisë.
“Katastrofë sot është katastrofë me këtë shtet që ne e kemi katastrofë sepse nuk ka as rritje as asgjë jemi në gjendje jo të mirë nga ky që e kemi kryeministër jemi katastrofë” shprehet ai.
Qytetari Sabri Rexha e sheh si shqetësuese mungesën e rrymës në kohën kur kanë rënë temperaturat, ndërsa kritikon pse nuk pati investime në këtë sektor.
“Tek unë personalisht ka pas rrymë nuk kam pasur telashe por po dëgjoj që disa po vuajnë në këtë të ftohtë vetë fakti që pushteti nuk bëri asgjë për të bëre hermotelektranë të reja diçka ndërtim , nëse mbetemi duke marruar vetëm nga të tjerët dhe për ta caktuar çmimin e marrjes kjo nuk po më duket në rregull”, thotë ai.
Qytetari Nexhmedin Sylejmani thekson se gjendja është shumë e vështirë, pasi kanë mbetur pa energji elektrike për disa ditë, gjë që e ka rënduar jetesën e tyre.
“E zbehur sepse janë mbetur pa rrymë janë mbetur, po dhe disa ditë nuk kemi pasur rrymë... Shumë vështirë”, deklaron ai.
Qytetari Rushit Rrecaj, ndërkaq bashkëndjen me të tjerët, ani se vet nuk është përballur me mungesën e energjisë elektrike.
“Keq jo mirë por unë kam rrymë këtu në banesë keq shumë keq, unë nuk mund të ndryshoj asgjë por duhet të ndryshojnë këta që e udhëheqin shtetin... Po duhet t'i rregullojnë këto gjëra, tjetër nuk ka asgjë këtu.”
Temperaturat në këto ditë mesjanari, kanë rënë edhe deri në -10 gradë Celsius, e krahas ngrohjes së qytetit, dhe asaj me dru, shumë familje varen edhe nga ngrohja me energjinë elektrike./Kosovapress/
(A2 Televizion)