Seanca për “Rezervat shtetërore” ndaj ministres Rozeta Hajdari e mbyllur për publikun

Nga Ideal Gola
13 Janar 2026, 11:55 | Aktualitet

Seanca për “Rezervat shtetërore” ndaj ministres Rozeta

Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”, ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit, është mbajtur e mbyllur për publikun në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjatë seancës, prokurori special Valdet Gashi u shpreh se shqyrtimi gjyqësor duhet të jetë i hapur, me përjashtim të pjesëve që përmbajnë informacione sekrete, raporton A2 CNN.

Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve kundërshtoi hapjen e seancës, duke theksuar se dosja përmban materiale të klasifikuara dhe se qasja në to pa deklasifikim do të ishte e paligjshme.

Pas dëgjimit të qëndrimeve të palëve, gjyqtari Avni Syla vendosi që seanca e shqyrtimit fillestar të mbahet e mbyllur, duke vlerësuar se ekzistojnë kushte ligjore për ruajtjen e konfidencialitetit, mbrojtjen e informacioneve sensitive dhe sigurimin e dëshmitarëve në këtë rast. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos