Situata në Kosovë, mësimi nuk nis në tri komuna, Lismiri ngrin nga i ftohti

Nga Ideal Gola
12 Janar 2026, 15:50 | Aktualitet

Situata në fshatin Lismir të komunës së Fushë Kosovës vazhdon të jetë e rëndë. Uji ende ndodhet në shtëpitë dhe oborret e banorëve, ndërsa temperaturat e ulëta e kanë kthyer atë në akull, duke sjellë vështirësi shtesë për familjet e prekura.

Banorët, pavarësisht temperaturave ekstreme, po përpiqen të largojnë ujin dhe të shpëtojnë atë që ka mbetur nga dëmet. “Uji ka ardhur deri në stallën e lopëve. Dëmet janë të konsiderueshme, na ka marrë misrin, na ka dëmtuar shumë…”, thotë një banor për A2 CNN.

Për shkak të afërsisë së shtëpive dhe tokave bujqësore, përmbytjet kanë prekur disa familje njëkohësisht, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. “Te vëllai uji ka hyrë brenda, i ka përmbytur bodrumin, oborrin, garazhet, stallat e lopëve. Edhe mua më ka hyrë në kashtë, madje ai ka pasur edhe më shumë ujë se unë”.

Komunat e prekura kanë nisur procesin e evidentimit të dëmeve dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë pasojat e përmbytjeve për vlerësim dhe ndihmë të mëtejshme.

Ndërkohë, disa banorë pranojnë se faktori njeri ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës. “Kanalet kulluese përreth lumit Sitnica janë mbyllur për t’u zgjeruar arat. Po të ishin funksionale, sot nuk do të ishim në këtë gjendje”, thotë një qytetar.

Situata ka ndikuar edhe në procesin mësimor. Javën e kaluar, Ministria e Arsimit shtyu për dy ditë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë për nxënësit e arsimit parauniversitar, por jo të gjithë nxënësit u rikthyen në shkolla më 12 janar.

“Për shkak të kushteve të rënda atmosferike, në komunën e Fushë Kosovës fillimi i gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë për një javë. Shkollat mbeten të mbyllura edhe në Malishevë dhe Drenas, kryesisht për shkak të kushteve të motit dhe mungesës së ngrohjes”.

Në komunat e tjera të Kosovës, mësimi ka nisur sipas planifikimeve, me përjashtim të dy shkollave në Prizren dhe nga një shkollë në Ferizaj, Vushtrri dhe Mitrovicë, ku ngrohja mbetet problemi kryesor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos