Kosovë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent raporton për vërshime në disa zona: Bora zbut rrezikun nga përmbytjet

Nga A2 CNN
11 Janar 2026, 16:30 | Aktualitet

Kosovë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent raporton për vërshime

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) raportoi për vërshime në disa pjesë të Kosovës, teksa shtoi se me nisjen e reshjeve të borës, zbutet rreziku nga vërshimet.

Raporti i publikuar më 11 janar lidhur me situatën me vërshime në Kosovë përfshin periudhën nga ora 22:00 e natës paraprake deri në orën 08:00 të së dielës.

Për shkak të vërshimeve, Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi të ndarë, shtyu për dy ditë, përkatësisht për 14 janar nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës.

Në Mitrovicë, pas reshjeve të shiut është rritur niveli i lumenjve dhe autoritetet kanë konstatuar se ka rrezik që lumi Sitnica të dalë nga shtrati.

“Është paraqitur kërkesë urgjente pranë Qendrës së Situatave të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për angazhimin e FSK-së”, tha AME-ja.

Sipas njoftimit, operacioni për parandalimin e daljes së lumit nga shtrati ka përfunduar me sukses në orën 05:30 dhe “; janë vendosur rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli”.

Në Pejë, ndërkaq, janë rrezikuar pesë shtëpi nga vërshimet dhe aty është intervenuar. Në këtë komunë raportohet se gjendja në rrugën për në Rugovë është e kalueshme, por “me kujdes”, ndërkaq drejt Kullës që çon për në Mal të Zi mund të kalojnë vetëm automjete të lehta.

Në Gjakovë, situata me vërshime është raportuar e qetë, por ka pasur bllokim të rrugës në fshatin Vogovë për shkak të shembjes së dheut.

AME tha se në Prishtinë në rrugën e Qagllavicës dhe nënkalimit aty ka pasur vërshime dhe shumica e vërshimeve në kryeqytet kanë qenë si pasojë e bllokimit të kanalizimeve.

Në Fushë-Kosovë ka pasur vërshime në fshatrat Lismir, Kuzmin dhe Sllatinë të Madhe. Në Obiliq u raportua për vërshime në dalje të autostradës në fshatin Mazgit, dhe në disa rrugë të tjera. Në komunën e Drenasit, është raportuar për vërshime në disa zona.

Vërshime është raportuar edhe në Graçanicë. Ndërkaq, Në Lipjan dhe Podujevë dhe Shtime. Po ashtu, nuk ka pasur intervenime dhe rrugët raportohen të kalueshme në Prizren, Suharekë, Malishevë, Rahovec, Dragash dhe Mamushë.

Ditëve të fundit, disa zona të Kosovës u përballën me vërshime që vlerësohet se kanë shkaktuar dëme në pronën private dhe infrastrukturën rrugore. Një ditë më parë, për shkak të reshjeve të shiut, autoritetet raportuan për bllokimin e disa rrugëve që u vërshuan./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos