Gjykata Kushtetuese reagon pas tërheqjes së kërkesës së presidentes për Osmani

Nga A2 CNN
6 Gusht 2025, 15:41 | Aktualitet

Gjykata Kushtetuese reagon pas tërheqjes së kërkesës së

Pas tërheqjes së kërkesës së presidentes Vjosa Osmani, për shkak të gjyqtarit serb Radomir Llaban, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka sqaruar se trajton të gjitha çështjet e paraqitura nga palët e autorizuara sipas Kushtetutës dhe rregullave procedurale të saj. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Gjykata thekson se kërkesa për tërheqje është e drejtë e palëve dhe shqyrtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjykatat thekson se gjyqtari Radomir Laban është emëruar sipas procedurave kushtetuese dhe çdo procedurë për shkarkim rregullohet nga Kushtetuta. Gjykata rithekson përkushtimin e saj për paanshmëri dhe profesionalizëm në trajtimin e të gjitha kërkesave.

Një ditë më parë Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mungesën e konstituimit të Kuvendit për shkak se gjyqtar raportues për lëndën është caktuar serbi Radomir Llaban.

Sqarim i Gjykatës Kushtetuese

Në përgjigje të interesimit të mediave dhe opinionit të gjerë përkitazi me kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të datës 5 gusht 2025 për tërheqjen e kërkesës KO215/25, të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovë më 22 korrik 2025, Gjykata Kushtetuese sqaron si në vijim:

Bazuar në nenin 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara. Ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri. Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës.

Sa u përket çështjeve të ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, siç jeni të informuar, i njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë.

Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos