Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mungesën e konstituimit të Kuvendit për shkak se gjyqtar raportues për lëndën është caktuar serbi Radomir Llaban.
Osmani ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me gjyqtarin Llaban për të cilin tha se në vazhdimësi nga viti 2018 përmes veprimtarisë së tij ka cenuar sigurinë kombëtare.
Ajo nuk ka dhënë detaje se si Llaban ka cenuar sigurinë duke thënë se përbëjnë informata të klasifikuara.
“Sipas këtyre informatave të cilat në vitin 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Osmani.
Osmani tha se kërkesa e saj kë të bëjë me çështje thelbësore për rendin kushtetues prandaj është shqetësuese t’i lihet në dorë një gjyqtari si Llaban që ta përcaktojë fatin e rendit kushtetues të Kosovës.
“Konsideroj se caktimi i z. Llaban si gjyqtar raportues në këtë proces është jo vetëm shqetësues por edhe i rrezikshëm kjo meqë mund të merren venime që mund të krijojnë pasoja të rënda dhe potencialisht të pakthyeshme jo vetëm për institucionet aktuale por edhe ato në të ardhmen. Kjo cenon besueshmërinë e gjykatës për rastin konkret si dhe rrezikon krijimin e një precedenti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë”, u shpreh presidentja Osmani.
Presidentja Osmani tha se gjyqtari raportues ka rol kyç në vlerësimin e pranueshmërisë, meritanve të kërkesës dhe kërkesës për masë të përkohshme.
Ajo theksoi se gjyqtari raportues e trason rrugën e një rasti, rrugë kjo që ndiqet pastaj nga gjykata në thuajse të gjitha rastet.
“Në interesin e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj tërheqja e kësaj kërkese është veprim i domosdoshëm në funksion të mbrojtjes së rendit kushtetues. Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet pikërisht nga persona të cilët sipas institucioneve tona të sigurisë e rrezikojnë rendin kushtetues të Republikës sonë”, theksoi Osmani.
Radomir Llaban ishte propozuar nga Lista Serbe për gjyqtar në Kushtetuese dhe ishte votuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2018.
Presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, në maj të vitit 2018 kishte refuzuar ta dekretojë Llabanin si gjyqtar i Kushtetueses. Pas një hetimi, ai vendosi ta dekretojë në disa muaj më vonë.
Llaban, sipas mandatit aktual 9-vjeçar, do të jetë pjesë e Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2027. (A2 Televizion)