Gjatë pasdites së sotme, reshje të dendura shiu të shoqëruara me breshër kanë përfshirë disa zona të Kosovës, duke shkaktuar përmbytje dhe probleme serioze në furnizimin me energji elektrike.
Ndër zonat më të prekura janë Brezovica, Gjilani, Ferizaj dhe disa fshatra në komunën e Gjakovës. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë rrugë të përmbytura, oborre me nivele të larta të ujit dhe shtresa të trasha breshëri në shumë vende.
Në Brezovicë, rruga kryesore që çon drejt komplekseve turistike është bërë e pakalueshme për shkak të përmbytjeve. Gjilani, po ashtu, është prekur rëndë, me rrugë të mbuluara nga uji që po vështirësojnë qarkullimin dhe po rrezikojnë ndërtesat në katet e ulëta.
Situata është e ngjashme edhe në Ferizaj, ku sistemet e kanalizimit nuk kanë përballuar sasinë e madhe të ujit, duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë të qytetit. Në komunën e Gjakovës, breshëri i madh ka dëmtuar disa fshatra.
Ndërkohë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar për dëmtime në rrjetin elektrik si pasojë e motit të keq, duke lënë pa rrymë një numër të madh konsumatorësh, veçanërisht në rajonin e Anamoravës.
“Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin me energji sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e KEDS-it. (A2 Televizion)