Aksion i SPAK në Elbasan, arrestohet administratori i “Eco Alb” Leli Kaja

Nga A2 CNN
5 Tetor 2026, 18:12 | Kronikë

Aksion i SPAK në Elbasan, arrestohet administratori i  “Eco

SPAK ka zhvilluar këtë të hënë një aksion në Elbasan, ku është arrestuar Leli Kaja, administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Sipas SPAK, arrestimi u krye nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar më 1 tetor 2026.

Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, dyshohet se Kaja i ka kërkuar dhe marrë 400 mijë lekë administratorit të një operatori ekonomik, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji në funksionin e administratorit të “ECO-ELB”.

 

NJOFTIMI 

SPAK arreston administratorin e “ECO-ELB” për korrupsion pasiv

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.

Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.

Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.

Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos