
Një proces gjyqësor i përmasave të jashtëzakonshme ka nisur këtë të martë në Dietikon të Zvicrës, ku në qendër të akuzave është një 57-vjeçar kosovar, i cili në kantonin Aargau njihej si imam. Sipas gazetës zvicerane “20 Minuten”, ky person, i cili në rrjete sociale u predikonte mirësinë ndjekësve të tij, tani akuzohet nga drejtësia zvicerane si truri i një skeme komplekse të krimeve ekonomike që ka shkaktuar dëme në vlerë prej miliona frangash.
Aktakuza voluminoze prej mbi 200 faqesh ngarkon jo vetëm imamin, por edhe një rreth të gjerë familjar, duke përfshirë ish-bashkëshorten, vajzën, tre djemtë e tij dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë. Në total, tetë persona po përballen me drejtësinë për një seri deliktesh që shtrihen në një periudhë dhjetëvjeçare. Megjithatë, personi kryesor i akuzuar nuk ishte i pranishëm në hapjen e procesit gjyqësor. Ai aktualisht ndodhet në një klinikë psikiatrike dhe përmes avokatëve ka njoftuar se është i paaftë për t’u marrë në pyetje, gjë që ka shtyrë gjykatën të kërkojë një ekspertizë të pavarur mjekësore, shkruan A2CNN.
Prokuroria zvicerane ka listuar plot 20 pika të akuzës kundër 57-vjeçarit. Ai dyshohet se ka operuar me një strategji të pamëshirshme: ka udhëhequr kompanitë e tij drejt falimentimit të qëllimshëm, ka keqpërdorur kreditë hipotekare për qëllime private në vend të renovimeve të premtuara dhe ka përdorur firma fiktive për të zhvatur kredi bankare. Një pjesë e rëndësishme e akuzës lidhet edhe me periudhën e pandemisë, ku imami dyshohet se ka përfituar mbi gjysmë milioni franga përmes mashtrimit me kreditë për COVID-19.
Përveç krimeve financiare, imami akuzohet edhe për mashtrim të autoriteteve të emigracionit. Ai dyshohet se ka deklaruar paga fiktive mujore për ish-gruan dhe djemtë e tij, me qëllim që t'u siguronte atyre lejet e qëndrimit në Zvicër përmes dokumenteve të falsifikuara.
Vajza e tij 27-vjeçare, e cila tani rrezikon dëbimin nga shteti ku u rrit dhe u shkollua, deklaroi mes lotësh se kishte nënshkruar çdo dokument që i kishte dhënë i ati pa e vënë kurrë në dyshim autoritetin e tij. Edhe ish-bashkëshortja dhe kontabilisti i tij kanë përdorur një linjë të ngjashme mbrojtjeje, duke pretenduar se ishin “verbuar” dhe manipuluar nga imami, i cili prezantohej kudo si një biznesmen i suksesshëm dhe i fuqishëm.
Përballë këtyre fakteve, prokurori i shtetit ka kërkuar një dënim të ashpër prej 7.5 vitesh burg për imamin dhe dëbimin e tij nga Zvicra për një periudhë 15-vjeçare. Për anëtarët e tjerë të familjes janë kërkuar dënime me kusht dhe ndalime të ushtrimit të profesionit për disa vjet. Ky proces pritet të zgjasë deri në fund të janarit. (A2 Televizion)