Bundestagu gjerman vendosi në lexim të dytë të vazhdojë pjesëmarrjen e trupave gjermanë në misionin e NATO-s në Kosovë, si pjesë e KFOR. Njoftimin e dha ministria Federale e Mbrojtjes në Gjermani, e cila theksoi se KFOR po siguron ushtarakisht paqe për vendin. Ndërsa thekson se situata në Kosovë dhe rajon është e stabilizuar, ministria thotë se raportet me Kosovën karakterizohen nga ulje ngritje dhe se ka potencial për konflikt e përshkallëzim mes tyre.
“Ende ekziston potencial për konflikt dhe përshkallëzim. Në vitin 2023, për shembull, pati incidente të dhunshme në të cilat ushtarë dhe civilë të KFOR-it u plagosën, disa prej tyre rëndë. Në fund të nëntorit 2024, një sulm me eksploziv u krye në rrjetin qendror të furnizimit me ujë të Iber Lepenc. Kjo tregon se tensionet e vjetra mund të shpërthejnë përsëri në çdo kohë në Kosovë, veçanërisht në veriun e banuar me shumice serbe”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Mbrojtjes shton më tej se për shkak të tensioneve ekzistuese, stabilizimi nga KFOR-i dhe kështu prania e ushtrisë gjermane në rajon është ende e nevojshme. Siç thuhet tavani i personelit deri në 400 ushtarë do të mbahet i pandryshuar. (A2 Televizion)