“Kufijtë tanë, të paprekshëm”, Kosova nderon Bunjakun në 1 vjetorin e sulmit të Banjskës

Nga Rosalba Bejdo
24 Shtator 2024, 15:34 | Aktualitet

Kosova ndalet këtë të martë, për të nderuar rreshterin Afrim Bunjaku, i cili u vra nga grupe terroriste serbe, në sulmin e armatosur në Banjskë, 1 vit më parë.

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me kryetarin e parlamentit Glauk Konjufca dhe ministrin e Brendshëm Xhelal Svecla, i bënë homazh Bunjakut duke vizituar familjet e tij në Samadrexhe dhe me pas vendosën kurora lulesh në varrin e tij.

Kurti tha se rreshteri kishte rënë heroikisht në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së vendit. Ai kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve që Serbia të mbahet përgjegjëse.

“Dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë. Në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit, rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit shtetëror, në mbrojtje të rendit publik, paqes dhe sigurisë. Kësisoj lartësoi shtetin e Kosovës. Anembanë Kosovës në çdo cep është shteti i Kosovës. Numri i policëve me kadet të rinj porritet. Morali i policisë dhe ushtrisë tonë kurrë nuk ka qenë më i lartë. Ky flijim i Afrim Bunjakut ja ka vlejtur për policinë, shtetin dhe gjeneratat e ardhshme. Serbia është përgjegjëse andaj duhet të jap përgjegjësi. Në këtë pikën e kërkojmë ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë", tha Albin Kurti.

“Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit. Ai dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet se si duhet të jepet jeta. Ai e la shembullin më të vyer edhe për vëllezërit dhe motrat e tij që janë në Policinë e Kosovës se si duhet të veproj njeriu kur e kërkon shteti”, tha kryeparlamentari Konjufca.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kujtoi aktin heroik të Bunjakut përmes një postimi në Faceboook.

“Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një here se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm. Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm! Sot e përgjithmonë!”, shkruan Osmani.

Ndërkohë, qeveria e Kosovës vendosi të emërtojë rrugën rajonale, Ballaban – Banjskë, me emrin “Afrim Bunjaku”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos