Ka nisur në Bruksel takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, si dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Megjithatë temat për të cilat do të diskutohen nuk janë bërë të ditura nga palët, nga zyra e kryenegociatorit Besnik Bislimi thonë se Kosova do të jetë konstruktive.
“Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, tha Klisman Kadia.
Mungesa e informacioneve shihet me sy kritik në Prishtinë që takimet në kuadër të dialogut i shohin pa ndonjë rezultat.
“Nuk dihet qartazi as çfarë pozicionesh po mban Kosova, as agjendat, temat të cilat po diskutohen, ka kohë që nuk kemi pasur marrëveshje të shkruar, pra prej marrëveshje së Ohrit e tutje ndonëse janë bërë dakordime të vogla”, shtoi Violeta Haxholli, shkuan A2.
Për Bashkimin Evropian, që rezervohet në dhënien e informacioneve rreth formatit apo temat të diskutimit, më urgjente është zbatimi i marrëveshjeve të dakorduar më herët.
“Fokusi i takimit është nevoja urgjente për të filluar me zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe për të ndihmuar palët të ecin përpara dhe të arrijnë përparim në dialog”, deklaroi Peter Stano.
Procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë shihet si jetik në rrugën e Kosovës drejt integrimit në strukturat euroatlantike, por edhe vet dialogu kërkon kompromise nga ana e Prishtinës. (A2 Televizion)