Ka përfunduar numërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve. Në këto çaste u mbyll numërimi i votave me kusht dhe të atyre me nevoja të veçanta. KQZ-së iu deshën gati një muaj për përfundimin e numërimit. Përkundër pritjeve të Lëvizjes Vetëvendosje, partia e Kurtit fitoi vetëm një mandat më shumë në krahasim me numërimin e votave nga vendvotimet e rregullta, nga 47 në 48, duke i marrë një ulëse Partisë Demokratike të Kosovës e cila performoi më dobët në votat e diasporës dhe mbetet tek 24 deputetë, raporton A2 CNN.
LDK do të ketë 20 deputetë, ndërsa koalicioni mes AAK dhe Nismës 8 deputetë, tre prej tyre nga partia e Fatmir Limajt. Lista Serbe mori 9 ulëse, ndërsa mandati i dhjetë për komunitetin serb i takoi partisë së ministrit Nenad Rashiq, Za Slobodu i Pravdu Opstanak, përcjell A2 CNN.
Ndërsa 10 ulëset e tjera të komuniteve jo serbe do të ndahen mes 9 partive të tjera. Përkatësisht Kosova Demokratik Turk Partisi do të ketë dy deputetë ndërsa nga një e kanë fituar Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Sociajaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia e Romëve te Bashkuar. (A2 Televizion)