Qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës kanë filluar të mblidhen në Prishtinë për të marrë pjesë në protestën e organizuar nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, pritet të fillojë në orën 17:00.
Në përkrahje të pjesëtarëve të UÇK-së dhe në kundërshtim me veprimet e Gjykatës Speciale, protestuesit mbajnë në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe solidariteti.
Për të lehtësuar pjesëmarrjen, disa komuna kanë siguruar edhe transport falas për qytetarët. Një pjesë e protestuesve tashmë kanë arritur në kryeqytet, ndërsa të tjerë vazhdojnë të vijnë.
Nga Maqedonia e Veriut, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, është nisur rrugës për në Prishtinë. Ahmeti do të marrë pjesë në protestën e veteranëve të UÇK-së kundër Speciales dhe do t’iu drejtohet të pranishmëve edhe me një fjalë rasti.
Sekretari i Bashkimit Demokratike për Integrim, Faton Ahmeti, ka publikuar një foto bashkë me Ahmetin nga makina duke shkruar: "Sot nuk ka kufij mes nesh. Sot jemi një, në mbrojtje të atyre që na sollën lirinë. Liria nuk gjykohet. Liria mbrohet”.
Kujtojmë se organizatat e dala nga lufta, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, u bënë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe për të treguar solidaritet me të akuzuarit nga Gjykata Speciale.
(A2 Televizion)