Të gjitha automjetet e transportit të mallrave me peshë mbi 7.5 tonë e kanë të ndaluar qarkullimin në autoudhë, rrugët nacionale dhe rajonale nga ora 11:00 deri në ora 17:00 deri më 31 korrik.
Vendimi u mor nga Ministria e Infrastrukturës për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të dëmtimit të rrugëve.
Një vendim i tillë nuk është pritur mirë nga komuniteti i biznesit ndërsa për ekspertët tregon më shumë për kualitetin e dobët të rrugëve të Kosovës pasi asnjë vend i rajonit nuk e ka një kufizim të tillë.
“Një vendim i tillë sa ka arsyeshmëri ka edhe dëme negative për sektorin privat sepse ka shumë kompani që importojnë lëndë të parë, qoftë nga Maqedonia, qoftë nga Shqipëria, qoftë nga Mali i Zi paramendoni të bllokohet një proces i prodhimit, ka shumë kompani të cilat kanë raporte kontraktuale me firma si motra në rajon dhe shumë herë duhet për prodhime esenciale apo ushqimore të frekuentojnë çdo ditë këtë rrugë”, tha Safet Gërxhaliu, Ekspert i Ekonomisë.
Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që ky vendim të rishikohet pasi kompanitë tregtare dhe transportuese po përballen me çrregullime në zinxhirin e furnizimit.
“Kompanitë prodhuese kanë drojë se mund të humbasin tregjet e jashtme të fituara me shumë mund për shkak të kufizimit të transportit, veçanërisht për produktet sezonale vendore që mund të eksportohen në këtë periudhë”, deklaroi Oda Ekonomike e Kosovës.
Qeverisë i kërkohet që të ulet me bizneset për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
“Besoj se duhet të gjendet një zgjidhje dhe zgjidhja vjen vetëm përmes dialogut të mirëfilltë publiko-privat. Nuk e besoj që Qeveria e ka konsultuar dikë prej bizneseve. Nuk besoj që ka pasur një debat argumentues apo konstruktiv. Kjo është ajo me çfarë ballafaqohen bizneset sot në Kosovë por besoj duhet të gjendet një modalitet që gjeneron efekte pozitive”, bëri me dije Gërxhaliu.
Ministria e Infrastrukturës tha se vendimi u mor në bazë të rekomandimeve të Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve dhe Policisë së Kosovës. (A2 Televizion)