"Shitjen e organeve e shpikën rusët", Clark: Nuk kam prova se UÇK ka kryer spastrim etnik

Nga Xhevahir Qardaku
18 Nëntor 2025, 19:56 | Aktualitet

Wesley Clark, ish-gjenerali amerikan dhe komandanti më i lartë i Aleancës së Atlantikut të Veriut gjatë luftës së Kosovës, për dy ditë me radhë dëshmoi në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së bashku me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mohojnë akuzat ndaj tyre. Clark, gjeneral amerikan me katër yje, dëshmoi para Dhomave të Specializuara në Hagë se Thaçi nuk ishte komandant ushtarak i UÇK-së dhe sipas tij nuk ishte përgjegjës për këtë organizatë. Sipas Clark akuzat ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi nuk janë të qenësishme. Clark tha se në vitin 2020 nuk e dinte saktësisht për çka po akuzohej Thaçi, dhe se në mendjen e tij ishte akuza për shitje organesh, akuzë të cilën e konsideron thjesht dezinformim.

“Në fakt kur e kam bërë këtë deklaratë nuk e dija se cila ishin akuza. Akuza për të cilat mendoja unë në mendjen time kisha shitje organesh kam përshtypjen që në periudhën 2007-2008 kishte akuza ndaj UÇK-së për shitje organesh dhe unë personalisht atë e konsideroj të ishte thjesht dezinformim nuk më kujtohet se kur e kam kuptuar plotësisht se për çfarë bënin fjalë akuzat, por jam shumë i sigurt që në momentin kur e kam thënë këtë deklaratë unë se nuk e kisha idenë se cilat ishin akuzat e ngritura”, theksoi ai.

Në pyetjen e prokurorit, Matt Halling nëse Clark e dinte që UÇK kishte emëruar ndonjë komandant të saj, dëshmitari mohoi atë. Duke cituar deklaratën e Clark “se ai nuk beson që do ishte e drejtë që t’i atribuohet sjellja e të tjerëve Hashim ThaçiT”, këtë e konfirmoi edhe vetë dëshmitari, shkruan A2 CNN.

“Kjo është një akuzë që është vetëm pjesërisht relevante për proceset që janë pjesë e kësaj gjykate. Sepse si komandant strategjik asnjëherë nuk kemi pas mundësinë që të bëjmë kërkime dhe që të na vërtetohet ky qëndrim. Thaçi thjesht rezultoi të ishte person ambicioz, i artikuluar, i prezantueshëm, por sa i takon kontrollit padyshim se nuk ka pas kontroll absolutisht nuk e kam parë një gjë të tillë sepse këto elemente nuk kishin atë lloj strukture që do kishte një organizatë normale, bëhej fjalë për persona grupe individuale për thjesht po luftonin për mbijetesën e tyre”, tha ai.

Në insistimin e prokurorit të ZPS-së nëse akuzat me të cilat ngarkohet Hashim Thaçi a janë të qenësishme apo jo, gjenerali amerikan potencoi se akuzat nuk janë të qenësishme.

“Jo akuzat nuk janë të qenësishme”, deklaroi ai.

Gjatë marrjes në pyetje prokurori, Matt Halling paraqiti një pjesë të librit të gjeneralit Mike Jackson nga një takim me Hashim Thaçin dhe komandantët e zonave përpara se të përfundonte demilitarizimi i UÇK-së. Ai madje e lexoi edhe nj pjesë të këtij libri ku thuhej se Hashim Thaçi kishte thënë i inatosur “askush nuk luan lojëra me UÇK-në“.

“Negociatat u bënë shumë të tensionuara…Thaçi na tha i inatosur “askush nuk luan lojëra me UÇK-në”. Ai na bërtiti duke e thënë këtë gjë. Në qoftë se ju mendoni se mund të na jepni ju neve udhëzime, atëherë e keni gabim dhe do ju vijë keq për këtë”, lexoi prokurori nga libri i Jackson.

Po ashtu Gjenerali amerikan, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka deklaruar se nuk ka prova dhe dëshmi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është prapa spastrimit etnik të serbëve.

“Unë nuk kam prova apo dëshmi që UÇK ishte prapa kësaj dhe kam indikacione që provojnë të kundërtën”, tha ai.

Në pyetjen e prokurorit, Matt Halling nëse NATO-s i duhej të planifikonte edhe mundësinë e kundër sulmit serb, gjenerali amerikan e mohoi atë.

Clark: Nuk duhej planifikim për mundësinë e kundër sulmit serb

“Jo NATO-së nuk i duhej të planifikonte këtë gjë dhe nuk më ishte udhëzuar, nuk kisha marr asnjë lloj udhëzimi për një gjë të tillë megjithatë si komandant i përgjithshëm unë e ndjeva që të informoja vartësitë e mijë që të përgatiteshin për një situatë të pafat që mund të ndodhte siç ishte rasti i asaj që ndodhi në pistë në Prishtinë“, deklaroi Clark.

Në pyetjen se a ekziston një shqetësim i Clark që serbët mund të kthehen përsëri, ai tha se nuk mendonte se Serbia do të kthehej në Kosovë, por se si gjeneral ishte puna e tij të vlerësonte rreziqet.

Në pretendimet e ZPS-së se veprimet e UÇK-së nga ndërkombëtarët konsiderohen terroriste, Clark deklaroi se ka pas diskutime në këtë pikë.

“Ka pasur diskutime lidhur me këtë pikë më kujtohet që ambasadori Golbard e ka thirrur familjen Jashari familje terroristësh, por për këtë u qortua nga udhëheqja amerikane dhe deklarata e tij u tërhoq dhe u korrigjua”, theksoi tutje gjenerali amerikan.

Në pyetjen e prokurorit, Matt Halling në atë nëse NATO nuk mund të komunikonte me UÇK-në gjatë fushatë ajrore për shkak të se ajo etiketohej si terroriste, gjenerali amerikan tha se nuk është i sigurt se një pretendim i tillë është i vërtetë.

Clark: Nuk jam i sigurt nëse UÇK-ja etiketohej si terroriste

“Nuk jam i sigurt nëse kjo është e vërtetë“, tha shkurt gjenerali amerikan.

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark dëshminë e tij pranë Dhomave të Specializuara të Hagës e ka filluar dje, ndërsa është marrë në pyetje nga mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Krasniqit. Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos