Alarmi për bombë në Kuvend, Kurti e Sveçla njëzëri: Kërcënimi erdhi nga Serbia

Nga A2 CNN
6 Korrik 2025, 15:48 | Aktualitet

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për herë të parë në lidhje me kërcënimin me bombë që ndodhi ditën e djeshme para seancës së mesditës në Kuvendin e Kosovës, e që rezultoi i rremë.

Ai ka shpërndarë në rrjetin social Facebook, një postim të ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ku ky i fundit sqaron se  institucionet e sigurisë e kanë cilësuar kërcënimin me bombë, si sulm hibrid me origjinë nga Serbia.

“Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional”, shkruan Kurti, teksa shton se “konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”.

Sakaq, në postimin e tij, Sveçla pretendon se kërcënimi i djeshëm ndaj tempullit të demokracisë së Kosovës, është bërë nga një numër telefoni i regjistruar në Serbi, konkretisht nga kompania telefonike MTS, dhe përdoruesi i tij është identifikuar shtetasi serb Lazar Zhivkoviq.

Me datën 05.07.2025, një kërcënim për bombë është adresuar ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës. Institucionet relevante të sigurisë e kanë trajtuar me prioritet të lartë këtë sulm hibrid ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është konfirmuar se ka origjinën në Serbi. Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS.  Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković”, shkruan Sveçla.

Më tej ministri i Brendshëm i Kosovës bën me dije se në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić.

Sveçla po ashtu sqaron se institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”, nënvizon Sveçla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos