"Serbia po përgatitej për diçka”, Kosova konfiskon arsenal lufte në veri: armë, fishekë dhe bomba

Nga Xhevahir Qardaku
20 Gusht 2026, 17:27 | Kosova

"Serbia po përgatitej për diçka”, Kosova konfiskon

Policia e Kosovës zbulon dhe konfiskon një arsenal të vërtetë lufte në 12 lokacione të ndryshme në veri.

“Janë gjetur 72 armë, prej tyre: 2 mitralozë, 11 AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, 9 pistoleta, 1 pushkë ajrore, 7 granata dore, 4831 copë municione, janë gjetur dhe pjesë të armëve, shumë pajisje të tjera ushtarake si dhe uniforma të ushtrisë dhe policisë së serbisë”, tha Gazmend Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Ministri i brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, lëshoi akuza të forta në drejtim të Serbisë, duke theksuar se përmes trazirave në veri ka dashur që të pengojë zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës dhe krimet makabre që janë bërë në Kosovë, siç u dëshmua me varrezën masive të zbuluar në Zubin Potok.

“Është shqetësuese heshtja e Serbisë dhe dorës së zgjatur të saj në Kosovë për këto zhvillime, pra për varrezën masive dhe armët e konfiskuara. Heshtja e Serbisë është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre.”, tha Xhelal Sveçla, Ministër i brendshëm në detyrë

Armët e sekuestruara mund të jenë përdorur në masakrën e intelektualëve të vrarë në Mitrovicë. Sveçla dhe Hoxha u zotuan që të vendosin para drejtësisë të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë.

“Këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve mund të kenë qenë të përfshira edhe rasti i vrasjes masive te rasti i grupit të intelektualëve, por kjo mbetet të verifikohen nga laboratorët e Kosovës, e nëse ka nevojë, edhe jashtë.”, shtoi Hoxha. 

“Do të punojnë me urgjencë, dhe në momentin që kemi informata të bazuara në shkencë, Policia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm qoftë në hetim apo edhe në sjelljen para drejtësisë të cilitdo që është i përfshirë në këtë masakër. Ne nuk do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe fatin e viktimës së fundit në Kosovë, por edhe derisa nuk arrestojmë të gjithë përgjegjësit për vrasjet e luftës në Kosovë”, u shpreh Sveçla.

Autoritetet në Kosovë akuzuan edhe njëherë Serbinë se po pengon zbardhjen fatit të të pagjeturve të luftës, duke i shndërruar dokumente të shumta në sekret shtetëror. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos