“Beogradi të zbatojë ujdinë e normalizimit”, SHBA pret që Serbia dhe Kosova të njohin kufijtë përkatës

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2023, 15:53 | Politikë

Amerika pret që Kosova dhe Serbia të njohin kufijtë përkatës të secilit shtet. Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, e konfirmoi këtë për versionin serb të Zërit të Amerikës, ndërsa nënvizoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron vetëm në tregun e përbashkët europian dhe në anëtarësimin në BE.

“Për t'u bashkuar me të vërtetë në tregun e përbashkët europian, të dyja palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, të njohin kufijtë dhe të pajtohen për bashkëpunim”, u shpreh James O’brien, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Europën dhe Euroazinë

Pavarësisht zgjedhjeve parlamentare dhe rezultatit që do të dalë prej tyre, Amerika kërkon që Beogradi të punojë për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

“Presim që qeveria t'i përmbahet marrëveshjeve që ka bërë për Kosovën. Në muajt e fundit, ne kemi parë një përparim në këtë drejtim. E dini, disa nga çështjet kryesore të diskutueshme kanë filluar të zgjidhen si targat, doganat, formularët. Kjo duhet të vazhdojë kur qeveria e re të marrë detyrën.”

Si një prej masave për uljen e tensioneve në Veri të Kosovës, O’Brien përmendi kthimin e serbëve në institucione publike, dhe që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen nga vendimet e njëanshme. Zyrtari amerikan thekson edhe njëherë rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos