“Vuçiç hap telashe dhe e përkëdhelin”, Kurti kritika BE dhe SHBA: T’i dalin për Zot marrëveshjes që na sollën

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2023, 20:39 | Politikë

Bashkimi Europian dhe SHBA duhet t’i dalin për zot marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të firmosur në Ohër, në një kohë kur Beogradi zyrtar vijon ta shkelë atë dhe të mos ndëshkohet. Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ndërkombëtarët gjatë një debati të organizuar nga Këshilli Atlantik, më temën “Kthimi në rrugën e duhur: Zhbllokimi i ardhmërisë euroatlantike dhe zhvillimore të Kosovës”.

Përballë pushtimit rus të Ukrainës, komuniteti Atlantik kërkoi pajtimin me më pak. Në vend të një marrëveshjeje përfundimtare të përqendruar në njohjen e ndërsjellë, qeveritë kërkuan një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë de facto. Tani kemi një marrëveshje që duhet mbrojtur nga ata që e kanë sjellë. Nuk mund të ndodhë që një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme të shkelet pa pasoja. Megjithatë, Serbia ka shkelur në shumë raste pa asnjë pasojë. Natyrisht, qeveria jonë është për dialog, dhe në çdo rrethanë ne angazhohemi vetëm për marrëveshje që çojnë më tej interesat e Kosovës dhe forcojnë shtetësinë tonë dhe që nuk e pakësojnë apo dëmtojnë atë”, tha Kurti.

Pavarësisht kritikave, Kurti thekson se Kosova vijon të mbetet e përkushtuar e konstruktive në bisedime, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve ka nevojë për normalizimin e Serbisë në kuptimin demokratik dhe evropian të fjalës.

Kosova dhe Serbia duhet të jenë në gjendje të jetojnë krah për krah si fqinjë normalë me marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane.

Marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe parasheh përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Albin Kurti nga krahu i tij, ka shprehur përherë gatishmërinë për të nënshkruar propozimin, por akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Sakaq, ky i fundit në çdo dalje publike ka hedhur poshtë çdo mundësi të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Pikërisht këtu u ndal Kurti gjatë konferencës që zhvillohet në Turqi, duke kritikuar diplomacinë perëndimore për raportin e tyre miqësor me Vuçiç, të cilit nuk i “tërhiqet veshi”, por vijon të jetë i “përkëdheluri” i Brukselit.

Sipas shefit të ekzekutivit së Prishtinës, Serbia vijon të thellojë autokracinë dhe sa më shumë telashe prodhon në Ballkan, aq më shumë fonde merr nga BE.

Nëse ka ndonjë mësim për të nxjerrë nga lufta në Ukrainë, ai është se ‘përkëdhelja’ e autokratëve nuk funksionon kurrë. Ata e marrin bujarinë e treguar ndaj tyre si një shenjë dobësie, frike ose të dyjave. Ata, për fat të keq, kuptojnë vetëm qëndrueshmërinë dhe forcën demokratike. Por në vend të shkopinjve, presidentit të Serbisë i janë ofruar karota. Sa më shumë telashe të bëjë në rajon, aq më shumë para kërkon dhe merr nga BE-ja. Sa më shumë të lëvizë drejt Rusisë dhe Kinës, aq më shumë Bashkimi Evropian e ndjek me fonde. Ndërkohë, që prej ardhjes së tij në pushtet, Serbia vetëm sa është rikthyer në autokraci”, deklaron Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos