Mbështetje për Shaip Kamberin! Kurti: Ka trefish arsye që të ketë EULEX në Serbi

Nga Ideal Gola
14 Dhjetor 2023, 14:59 | Politikë

Kryeministri Albin Kurti i ka dhënë mbështetje kandidatit shqiptar për deputet në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Në një tubim që e organizoi partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, në Prishtinë, Kurti e akuzoi Serbinë për spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve. Duke përmendur numrin e ulët të të punësuarve shqiptarë në institucionet serbe, Kurti me batutë tha se edhe në Gjermani të rastis të shohësh më shumë shqiptarë të punësuar në institucionet shtetërore.

 “Në spitalin e Vranjës ku shkojnë qytetarët nga Presheva dhe Bujanoci nuk ka asnjë të punësuar shqiptarë. Prej 700 sosh. Prej 700 edhe në Duseldorf të qëllojnë 15 shqiptarë”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se në Serbi numri i pakicave është trefish më i lartë se në Kosovë, prandaj ka më shumë arsye që në Beograd të ketë një Mision të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, siç është në Prishtinë.

 “Në Serbi ka trefish më shumë arsye që të ketë EULEX, për të pasur ulëse të rezervuara (në Parlament), për të qenë gjuha zyrtare e pakicave gjithandej administratës dhe komunave atje e kështu me radhë”, tha ai.

Pasi ndërkombëtarët shprehen zhgënjimin që Kosova nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e saj, Kurti tha se kishte ofruar një marrëveshje që qytetarët serbë të votonin në ndërtesën e Bashkimi Evropian, por është refuzuar. Ndërsa, vetë kandidati për deputet Shaip Kamberi, tha se do të vijojë betejën e tij politike për të kërkuar të drejta për shqiptarët në Serbi.

 “E jona është që në këto zgjedhje të radhës, me angazhimin tonë politik, të bëjmë luftën dhe të bëjmë atë që thotë slogani ynë, të vazhdojmë betejën tonë politike për të drejta, për barazi dhe për liri sepse nuk kërkojmë asgjë më tepër se sa që kërkojnë të tjerët për vete. Ajo që është e drejtë për të tjerët do të jetë e drejtë edhe për neve pavarësisht se sa është refuzues sot Beogradi”, bëri me dije Shaip Kamberi, Koalicioni “Beteja politike vazhdon”.

Zgjedhjet në Serbi mbahen këtë të diele, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me dy lista të ndryshme. Në garë është edhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e bashkuar” që udhëhiqet nga kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos