Vjosa Osmani ka mbyllur mandatin e rregullt si presidente e Kosovës pesë vite pas zgjedhjes në prill 2021. Të shtunën pasdite, ajo ia dorëzoi detyrën kryeparlamentares Albulena Haxhiu, ashtu siç e përcakton Kushtetua në mungesë të një presidenti të zgjedhur. Në ceremoninë që u mbajt në Presidencë, Osmani dhe Haxhiu uruan që kreu i ri i shtetit të zgjidhet sa më parë.
Ish-Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u shpreh: “Shpresojmë shumë që Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më parë të jetë e mundur do ta zgjedhë Presidentin eapo presidenten e re, me shpresën që të kemi stabilitet institucional, në një kohë kur jo vetëm shteti ynë dhe rajoni ynë por e gjithë bota po kalon kriza të mëdha”.
Kryeparlamentarja e re Albulena Haxhiu tha: “Sërish i bëj thirrje grupeve parlamentare dhe deputetëve që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Le t’i lënë anash inatet, dallimet, politike dhe le t’i vazhdojnë ato pasi ta kryejnë këtë obligim kushtetues”
Pas më shumë se një orë takim me Haxhiun, Osmani iu drejtua popullit me një video ku renditi punët që kishtë bërë në politikën e jashtme, drejtësi dhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ish-presidentja, në një referencë për kundërshtarët e saj politikë, tha se në këtë rrugëtim kishte mësuar se ndonjëherë sfidat më të mëdha vijnë brenda, kur besnikëria ndaj shtetit dhe qëndrimi krah aleatëve shndërrohet në pengesë.
“Vijnë atëherë kur qëndrueshmëria ndaj parimeve fillon të shihet si pengesë e jo si vlerë si dhe kur besnikëria ndaj shtetit nuk përputhet me interesat ditore. Dhe pikërisht në ato momente, një udhëheqës duhet të zgjedhë: komoditetin apo integritetin. Unë besoj fort që kam zgjedhur integritetin”, tha Osmani.
Kuvendi i Kosovës ka mundësi deri më 28 prill të zgjedh presidentin e ri, në të kundërtë vendi do të shkojë në zgjedhje.
Në këtë situatë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu do të mund të jetë ushtruese e detyrës së së presidentes deri më 5 tetor 2026. (A2 Televizion)