
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte kërkuar sqarime për procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në vendimin e saj, Gjykata vlerëson se kërkesa nuk përmbush kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në Kushtetutë dhe në legjislacionin përkatës. Sipas saj, çështja e ngritur nga presidentja nuk lidhet me një konflikt të kompetencave kushtetuese, por me një kompetencë të rregulluar nga ligji për zgjedhjet.
Kushtetuesja thekson se, ndonëse presidentja është palë e autorizuar për të ngritur çështje të tilla, në këtë rast nuk është argumentuar një konflikt kushtetues mes institucioneve, siç kërkohet nga Kushtetuta.
Kërkesa e Osmanit erdhi në një moment debatesh politike lidhur me përbërjen e KQZ-së, ku partia në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, kishte propozuar tre anëtarë.
(A2 Televizion)