Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, për të cilën ekzistojnë dyshime se ka ndodhur gjatë një ndërhyrjeje policore. Ngjarjen ajo e ka cilësuar si "të rëndë dhe tronditëse", duke kërkuar veprim të menjëhershëm institucional.
“Të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale,” ka deklaruar Presidentja Osmani, duke shtuar se kërkohet transparencë e plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi pa kompromise.
Ajo ka theksuar se çdo zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të përballet me drejtësinë pa asnjë vonesë.
“Askush nuk është mbi ligjin,” ka nënvizuar Presidentja në reagimin e saj, që vjen pas rritjes së interesimit publik dhe kërkesave për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Sakaq Policia e Kosovës ka reaguar sërish, duke publikuar një version zyrtar për ngjarjen e ndodhur pak pas mesnatës së datës 7 korrik në Lipjan.
Sipas njoftimit zyrtar, më 7 korrik rreth orës 00:12, Policia ka pranuar gjashtë telefonata nga qytetarë të ndryshëm, që raportuan për një person me sjellje agresive në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Më tej thuhet se Zejnullahu paraqiste rrezik të përgjithshëm për kalimtarët, pasi po i sulmonte ata, ndiqte automjete dhe tentonte të futej në to.
“Njësitë policore reaguan menjëherë dhe, sipas policisë, edhe në prani të tyre personi vahdoi me sjellje të pakontrollueshme dhe të rrezikshme”.
Policia njofton se, për shkak të rezistencës aktive dhe tentimit për sulm ndaj zyrtarëve, ishte përdorur sprej mbrojtës për ta neutralizuar atë. Sipas policisë, para arrestimit, zyrtarët policorë kishin tentuar për rreth pesë deri në gjashtë minuta të komunikonin dhe negocionin me të riun për ta bindur që të shoqërohej në stacionin policor.
“Mbikëqyrësi i ndërrimit kishte thirrur edhe ndihmën e shpejtë, duke vërejtur gjendjen e tij psikologjike dhe shëndetësore. Megjithë tentativën për t’iu larguar policisë, i riu ishte arrestuar. Ambulanca kishte mbërritur pas tre minutash në vendin e ngjarjes, por ekipi mjekësor kishte konstatuar vdekjen e tij”, deklaron policia.
Sipas PK-së, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë lëndë narkotike. “E njëjta është dërguar për ekzaminim”, thuhet në deklaratë.
Policia bën të ditur se, përveç njësive hetimore dhe Prokurorit për Krime të Rënda, në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). “Të gjitha provat, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë, janë dorëzuar për hetim”, nënvizohet në deklaratë. (A2 Televizion)