Kërcënimi i së shtunës në adresë të Kuvendit të Kosovës vlerësohet si një tjetër përpjekje e strukturave shtetërore të Serbisë për destabilizim në kuadër të luftës hibride.
Autoritetet në Kosovë identifikuan Lazar Zivkoviç si personi që ka pasur ose e ka ende në pronësi numrin e telefonit nga i cili erdhi kërcënimi, shkruan A2.
Fakti që numri i përket një kompanie si MTS, pjesë e Telekom Serbia, që është rreth 60% në pronësi të shtetit, në vlerësimin e njohësve të sigurisë është një strategji e menduar mirë.
Gurakuç Kuçi, nga Instituti Octopus, u shpreh: “Kjo është një strukturë e mirëmenduar, është në kuadër të strategjisë së Serbisë kundër Kosovës dhe po ashtu është një strategji e cila dënjon që vazhdimisht aty ku gjen probleme t’i thellojë ato probleme dhe po ashtu t’i kërcënojë qytetarët që brenda vendit Kosovën ta bëjnë një vend ku njerëzit ndihen të pasigurtë dhe në bashkësinë ndërkombëtare të tregojë që akoma ka një aftësi të kërcënojë Kosovën dhe po ashtu akoma ruan strukturat e veta kriminale në Kosovë”.
Përpjekjet që të dyshuarin për këtë kërcënim ta sjellin para drejtësisë nuk pritet të kenë shumë sukses. MTS përmes një filiali të saj dhe me një marrëveshje të veçantë të Brukselit operon në komunat veriore me shumicë serbe. Sipas ekspertëve të sigurisë, MTS nuk respekton ligjet e Kosovës dhe nuk bashkëpunon me Prishtinën zyrtare.
“Iu ka kërkuar MTS që vazhdimisht për krime të ndryshme të bashkëpunojë dhe të japë materialet e nevojshme Policisë së Kosovës. MTS i ka fshirë të gjitha të dhënat në rastin e Oliver Ivaonoviçit, ndërsa në rastin e Milan Radoiçiçit dhe në rastin e Banjskës një pjesë i ka fshirë, një pjesë i ka ndryshuar dhe i ka kamufluar, edhe në rastin e Ibër Lepencit i ka fshirë dhe manipuluar ato të dhëna, pra asnjëherë nuk ka pasur bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me institucionet e sigurisë së Kosovë”, deklaroi Kuçi.
Kërcënimi me bombë i së shtunës rezultoi i rremë, por kjo ka detyruar institucionet të shtojnë shtojnë sigurinë. Për të gjithë personat që të hënën hynë në Kuvend për shkak të seancës pati kontrolle më të rrepta. (A2 Televizion)