Pesë efektivë policorë janë arrestuar në orët e mbrëmjes të së hënës si të dyshuar në vdekjen e një 27-vjeçari në Lipjan.
Saktësisht, në orët e para të datës 7 korrik, në rrugën “Haradin Bajrami”, viktima i identifikuar si Agron Zjenullahu ka vdekur gjatë arrestimit të tij nga ekipi policor në përbërje të një rreshteri dhe katër zyrtarëve të tjerë.
Efektivët janë pezulluar nga detyra, shkruan A2.
Inspektoriati Policor i Kosovës së bashku me Prokurorinë Themelore të Prishtinës tashmë janë duke zhvilluar hetime.
“Pas intervistimit të zyrtarëve policorë dhe pas administrimit edhe me dëshmitë e tjera që janë siguruar sot pas veprimeve hetimore, që të pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar, kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, konfirmoi IPK.
Në kuadër të hetimit pritet të ndërmerren edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt zbardhjes të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident, si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore.
Policia tha se kishte reaguar pasi 27-vjeçari dyshohet se ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe po sulmonte qytetarë në rrugë. Familja e viktimës ka fajësuar policinë për vdekjen e Zejnullahut. (A2 Televizion)