Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Astrazub të Komunës së Malishevës, ku për pasojë kanë humbur jetën dy persona, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga Policia e Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 15:50, në rrugën Malishevë–Rahovec, ku janë përplasur dy automjete.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet policore dhe ekipi i ndihmës së shpejtë.
“Personeli mjekësor ka konstatuar vdekjen e dy personave të rritur një mashkulli dhe një femre ndërsa dy persona të tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupat e viktimave janë dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor”, ka deklaruar Elezaj.
Policia ka bërë të ditur se Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e aksidentit. (A2 Televizion)