Dy të akuzuarit për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të mërkurë. Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani u deklaruan rreth fajësisë, pasi prokurori Bekim Kodraliu lexoi aktakuzën, ku thuhej se dy burrat e kishin kërcënuar seriozisht dhe publikisht kryeministrin Albin Kurti, në vitin 2023, shkruan A2 CNN.
“I pandehuri Faton Klinaku, seriozisht dhe publikisht e ka kanosur përmes rrjetit social Facebook duke postuar. Pas reagimeve të opinionit publik, i pandehuri ka përsëritur një shkrim me përmbajtje kërcënuese. I pandehuri seriozisht e ka kanosur me vrasje kryeministrin Albin Kurti”, tha prokurori Bekim Kodraliu.
Pas seancës së shqyrtimit fillestar, Klinaku tha se nuk ka kryer asnjë vepër penale, ndërsa Selmani deklaroi se Kurti nuk duhet të ketë frikë prej tij, por nga historia.
“Mirë që ishte përballje, sepse ju e dini që e kam kërkuar vetë atë përballje. Sa i përket aktakuzës, konsideroj që kurrfarë vepre penale nuk ka. Dhe postimi im që ka qenë i përsëritur, figuron ende, para dy vitesh që e kam postuar në Facebook dhe nuk e heq sepse nuk ka vepër penale. Ne luftën e kemi bërë si pjesëtarë të UÇK-së, kemi luftuar që ta kemi shtetin, ta kemi sistemin tonë të drejtësisë, prandaj është obligim i secilit qytetar që t’i përgjigjet. Procesi gjyqësor tash do të vazhdojë; përmes avokatit ne do të bëjmë kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës”, u shpreh i pandehuri Klinaku.
“Albin Kurti të mos ketë frikë nga unë, por të frikësohet nga historia që një ditë ndoshta do ta dënojë historia e popullit shqiptar. Prandaj edhe një gjë duhet ta cek, se ky ‘tuc’ duhet të lajmërohet çdo herë në Prokurori, t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse duhet të japë përgjegjësi për paratë e shtetit, paratë e këtij populli kah po shkojnë... Unë konsideroj që jam i pafajshëm, tash shohim”, tha i pandehuri tjetër, Selmani.
I pranishëm në gjykatë ishte edhe Albin Kurti, i cili tha se nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike. Më 1 gusht, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj Klinakut dhe të pandehurit tjetër, Selmani. Prokuroria ka thënë se ata dyshohen se më 2023 kishin publikuar në llogaritë e tyre në Facebook shkrime me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit. (A2 Televizion)