Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale e ka refuzuar kërkesën e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për lirim të përkohshëm. Ata kishin bërë kërkesë për të hedhur poshtë vendimin e Themelores që nuk ua mundësoi lirimin e përkohshëm.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, rrëzimi i tre apeleve u bë më 13 gusht.
Në anën tjetër, ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili është pjesë e katërshes së UÇK-së që po gjykohen për krime të pretenduara të luftës, nuk ka bërë fare kërkesë për lirim. Ai po përballet edhe me një tjetër aktakuzë, atë për tentim pengim të drejtësisë.
Më 13 maj 2025, gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët i refuzoi kërkesat për lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023, por ata ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.
Ai që njihet si gjyqi i madh në Hagë - procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, është drejt fundit. Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj, ndërkaq dëshmitarët e mbrojtjes pritet të dëgjohen nga mesi i shtatorit./Kosovapress (A2 Televizion)