Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe urdhëroi 30 ditë paraburgim për Ramadan Morinën, i akuzuar për krime lufte në masakrën në Burim të Malishevës.
Morina u arrestua të martën në Prishtinë pasi hyri në Kosovë nga Serbia. Sipas prokurorisë, Morina dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës.
Prokuroria thotë se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve. (A2 Televizion)