Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se ka arrestuar një toger të Policisë së Kosovës. Bojan Jevtic, i cili akuzohet për spinuazh.
Hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë kanë rezultuar me ndalimin dhe arrestimin e të pandehurit për 48 orë, shkruan A32 CNN.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10 000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “ Dheu i Bardhë”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të parashtroj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë. (A2 Televizion)