Pesë komuna në Kosovë janë duke u përballur me bllokimin e llogarive të tyre bankare, duke rrezikuar seriozisht funksionimin e rregullt të institucioneve lokale dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Për këtë, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një deklaratë për KosovaPress thekson se problemi qëndron tek niveli qendror që nuk po konsultohet me komunat për “mjetet që po ua merr”. Ai thotë se, komunat që u përballen me këtë dukuri, janë komuna e Ferizajt, Lipjanit, Drenasit, Vushtrrisë dhe Junikut.Lidhur me këtë, Ministria e Financave, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk është përgjigjur në pyetjet e KosovaPress.
“Komunave të Republikës së Kosovës në vazhdimësi janë duke i’u bllokuar xhirollogaritë bankare. Kemi pasë raste të tilla dhe vitin e kaluar po edhe këtë vit po na përsëriten. Për momentin deri sa jemi duke biseduar janë pesë komuna të cilat i kanë xhirollogaritë e bllokuara dhe po shpresojmë që gjatë këtyre ditëve, këto xhirollogari do të zhbllokohen. Është komuna e Ferizajit, Lipjanit, Drenasit, Vushtrisë, por sot kam pasur një bisedë edhe me kryetarin e Junikut por gjithashtu me të Vitisë, edhe kryetari i Junikut është ankuar sepse nuk do të ketë mjete për të mbuluar shpenzimet që do të dalin nga rryma, nga uji, nga menaxhimi i mbeturinave për godinat dhe objektet qe menaxhohen nga komuna e Junikut. Do të thotë komunat që një kohë janë duke u ballafaquar me këtë sfidë dhe problem kryesor po qëndron te niveli qendror. Niveli qendror më herët, në qeveritë e kaluara, komunat janë konsultuar paraprakisht se sa t’i merren mjetet financiare dhe prej cilave kategori do të i’u merren mjetet financiare. Tani nuk po konsultohen fare me komunat, vetëm kur komunat po e shohin që xhirollogaritë e tyre janë të bllokuara dhe nuk po kanë mundësi të kryejnë pagesa financiare ndaj operatorëve ekonomikë apo të kryejnë pagesa për shërbime”, tha ai.
Ibrahimi po ashtu theksoi se deri më tani, komunave të Kosovës i’u kanë marrë mbi 210 milionë euro.
“Deri më tani, Komunave të Republikës së Kosovës që nga viti 2022 e deri në fund të qershorit, i’u kanë marrë mbi 210 milionë euro për shkak të vendimeve gjyqësore ku në shumicën e rasteve kanë të bëjnë me kontrata kolektive. Në vitin 2022 komunave i’u kanë marrë mbi 36 milionë euro, në vitin 2023 mbi 40 milionë euro, në vitin 2024 janë mbi 86 milionë euro, në këtë vit në gjysmë-vjetorin e parë janë mbi 47 milionë euro dhe shuma totale po del që është mbi 210 milionë euro”, tha ai.
Ibrahimi gjithashtu theksoi se niveli qendror e ka një mënyrë të thjeshtë për zgjidhjen e problemit, por se kjo çështje nuk është brengë e tyre.
Për komunën e Lipjanit, u deklarua nënkryetari i Lipjanit Diamant Bytyqi i cili u shpreh për KosovaPress se nuk kanë marrë asnjë informacion nga Ministria e Financave për arsyet e bllokimit.
“Jo, nuk kemi informacione, as nuk na kanë dërgua shkresa as asgjë hiç, as nuk kemi informacion për çfarë arsye. Nuk e dimë a janë prej kontratës kolektive a nëse veç i kanë ekzekutua vetë, nuk na kanë dërgua as një informacion”, tha ai.
Për dëmet që ky bllokim mund të shkaktojë ai theksoi se “Nuk e dimë cilat kategori janë mbyllë dhe nuk e dimë se sa janë dëmet, por dëmet do të jenë të mëdha nëse vazhdon kështu”.Kosovapress (A2 Televizion)