Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, dhe ka lënë në fuqi të gjitha akuzat kundër tyre.
Avokatët e mbrojtjes kishin kërkuar rrëzimin e akuzave që lidhen me ngajrje të ndodhura para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit të 1999. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, sqaroi se incidentet e përmendura nga mbrojtja nuk konsiderohen si akuza të veçanta, por si pjesë përbërëse e akuzave ekzistuese, shkruan A2.
Sipas Smith, rregulla 130 nuk i jep trupit gjykues kompetencën për të rrëzuar pjesë të veçanta të akuzës që përmbajnë fakte e materiale, nëse këto nuk përbëjnë akuza të pavarura.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, u shpreh ai. Gjyqtari shtoi se shumë nga faktet në fjalë lidhen me krime kundër njerëzimit, për të cilat, ndryshe nga krimet e luftës, nuk është e domosdoshme të provohet ekzistenca e një konflikti të armatosur.
Për këtë arsye, edhe nëse argumentet e mbrojtjes do të pranoheshin, ato nuk do të çonin në rrëzimin e ndonjë pike të aktakuzës. Aktakuza e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u dorëzua më 30 shtator 2022 dhe përmban dhjetë pika, ku të akuzuarit ngarkohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. (A2 Televizion)