Certifikohen rezultatet! Vetëvendosje shfryn ndaj PZAP dhe Supremes

Nga Ideal Gola
27 Mars 2025, 20:54 | Kronikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit, 46 ditë pas mbajtjes së tyre, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Duke qenë se ankesat pas shpalljes së rezultatit përfundimtar u hodhën poshtë si nga PZAP ashtu edhe nga Gjykata Supreme, përqindja dhe mandatet e partive politike mbetën të pandryshuara,

Lëvizja Vetëvendosje është e para me 48 mandate, pasuar nga PDK me 24, LDK me 20, Lista Serbe me 9, AAK e Nisma me 8 ndërsa edhe 10 parti të vogla nga radhët e minoriteteve kanë siguruar ulëse.

Pavarësisht se doli fituese, Lëvizja Vetëvendosje ishte e pakënaqur me të gjithë procesin dhe pati akuza ndaj LDK-së për manipulim të votave me postë.

“Nga të gjitha këto reagime po shihet që nuk kemi pasur një proces të suksesshëm por një proces të dështuar, kemi probleme si KQZ edhe këtë herë që nga dita e parë me shpalljen e rezultateve preliminare KQZ ka dështuar dhe këtë duhet pranuar për arsye të ndryshme”, tha SAMI KURTESHI, ANËTAR I KZQ NGA LVV.

Vetëvendosje kërkoi anulim të rreth 19 mijë votave të ardhura me postë për LDK-në dhe përsëritje të këtij procesi. Kjo kërkesë që u hodh poshtë solli reagim të ashpër të përfaqësuesve të partisë së Kurtit ndaj institucioneve të drejtësisë.

“Unë uroj që të ndodhë një vetting e të ndodhë edh një proces i tillë që na e heq bërllogun prej këtyre institucioneve ku ka bërllog të tillë i cili na mbulon dhe e pamundëson votën e lirë, vullnetin e lirë të qytetarëve”, u shpreh Alban Krasniqi, anëtar i KQZ nga LVV.

Për problemet dhe sfidat që shtynë certifikimin e rezultateve folën edhe nga partitë e tjera të cilët kërkuan që të gjitha çështjet të adresohen në kohë në mënyrë që të mos përsëriten të njëjtat në zgjedhjet lokale.

“Sa i përket problemeve të votimit nga jashtë vendit kjo është baza ligjore dhe për fatin tonë të keq kurdo që mbahen zgjedhjet probleme të njëjta kanë me u paraqitë njëjtë përderisa ky ligj është në fuqi kështu siç është”, tha Ilir Gashi, anëtar i KQZ nga PDK.

Tre kandidatët që kishin fituar mandatet e që janë edhe kryetarë komunash, Gazmend Muhaxheri i Pejës, Imri Ahmeti i Lipjanit, që të dy nga radhët e LDK-së, si dhe Bedri Hamza kryetar i Mitrovicës preferuan të ruajnë pozitat aktuale.

Në listën e LDK-së zunë vend Arben Gashi dhe Paris Guri, ndërsa te lista e PDK, Rashit Qalaj.

Në fund, KQZ certifikoi rezultatin me 9 vota “për” dhe dy votat “kundër” të Lëvizjes Vetëvendosje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos