Tronditet Kosova, tjetër vrasje në Prishtinë, kërkohet angazhim institucional

Nga Ideal Gola
26 Mars 2025, 20:57 | Kronikë

Kosova është tronditur nga vrasja e katërt në tri ditë. Mbrëmjen e së martës, një tjetër ngjarje e rëndë me të shtëna me armë zjarri ndodhi në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.

Lokali ku ka ndodhur rasti gjendet në bodrumin e një shtëpie, ndërsa nga brenda dukeshin karriget e rrëzuara, tavolina, njolla gjaku dhe televizorë një hapësirë që duket se është shfrytëzuar edhe për bixhoz.

Sipas policisë dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave, njëri prej të cilëve ka humbur jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sipas banorëve, në lokalin ku ka ndodhur ngjarja është ushtruar veprimtaria e lojërave të fatit.

Viktima është Naser Gashi, 62-vjeç, ndërsa i plagosur ka mbetur Miftar Miftari i moshës 42-vjeçare. Policia, që ka identifikuar autorët e dyshuar, është në kërkim të tyre.

Pas vrasjes së një 19-vjeçari dhe një gruaje e një burri në Vushtrri, kjo seri e ngjarjeve të rënda ngjalli reagime në Prishtinë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mblodhi kabinetin qeveritar ku kërkoi angazhim maksimal të organeve të rendit dhe të drejtësisë.

“Ftoj organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve, në mënyrë që edhe të vihet drejtësi, edhe të parandalohen raste të këtilla në të ardhmen”, tha Kurti.

Duke shprehur ngushëllime familjarëve, tha se ngjarjet si këto të ditëve të fundit nuk duhet të normalizohen.

“Gjithë vendi është tronditur e është lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, të ndalet, të dënohet. Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit”, u shpreh Kurti.

Familjarët e Naser Gashi përmes rrjeteve sociale thanë se i ndjeri ishte gjendur rastësisht në vendin ku ka ndodhur rasti dhe nuk ka qenë cak i autorëve. 

Megjithatë Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës thonë se janë duke hetuar rastin duke mos dhënë detaje as për motivin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos