Dinarë dhe armë pa justifikim, paraburgim 30 ditë për spiunin e Serbisë në policinë e Kosovës

Nga A2 CNN
18 Korrik 2025, 21:22 | Kronikë

Me pranga në duar doli para gjykatës në Prishtinë. Të dyshuarit për spiunazh në favor të serbisë, Bojan Jevtiç, nuk do t’i hiqen nga duart për 30 ditë me radhë pasi ndaj tij u caktua masa e sigurisë një muaj paraburgim.

Gjykata vlerësoi se nëse ish polici lihej në liri, mund të ndikonte në prova dhe dëshmitarë, mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, ndoshta dhe vepra më të rënda. Prokurori i rastit paralajmëroi zgjerim të hetimit për të parë nëse ka dhe persona të tjerë të përfshirë.

“Nga provat e siguruara dje kemi gjetur një armë të shkurtër pa autorizim të të pandehurit, një sasi të municionit, monedha, respektivisht një shumë të caktuar të parave të cilat ne dyshojmë qe i pandehuri i ka përfituar duke kryer veprat penale... janë 2 milionë dinarë serbë, 10 mijë dhe 600 franga të cilat deri më tani i pandehuri deri më tani nuk ka mundur t'i justifikojë, të cilat ne konsiderojmë se janë rezultat i veprës penale të spiunazhit”, tha Bekim Kodraliu, prokuror.

Avokati mbrojtjes i të akuzuarit për spiunazh tregoi për mediat se kishin ofruar masën e garancisë prej 15 mijë eurosh për ta mbajtur atë në liri. Ai nuk tregoi origjinën e atyre parave. Të afërmit e Jevtiç theksojnë se besojnë në pafajësinë e tij dhe se punon në policinë e Kosovës prej 23 vitesh pa asnjë problem në karrierë. Bojan Jevtiç u arrestua të enjten me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Inspektoriatit të Policisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nën akuzat për spiunazh. Ka dyshime të forta se ai ka transmetuar plane operative të ndjeshme që lidhen me sigurinë kufitare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos