Togeri Bojan Jevtiç është arrestuar mëngjesin e së enjtes nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “spiunazh”.
Hetimet e zhvilluara të Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë kanë rezultuar me ndalimin dhe arrestimin e serbit për 48 orë.
Togeri policor ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, atë tek “Dheu i Bardhë”.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, shkruhet nw njoftimin e prokurorisw speciale.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se veprime të tilla rrisin sigurinë e vendit.
“Dua të përgëzoj Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë në këtë aksion jashtëzakonisht të rëndësishëm, më shumë detaje nuk mund t’ju jap por sinqerisht po ju them e rrit nivelin e sigurisë në Republikën e Kosovës”, tha ministri.
Inspektorati Policor ka rekomanduar menjëherë pezullimin e zyrtarit policor, ndërsa Prokuroria Speciale pritet të parashtrojë brenda afatit ligjor kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë. (A2 Televizion)
Togeri serb i policisë, kapet një tjetër i dyshuar për spiunazh në Kosovë
