Dosja e prokurorisë për spiunazh, Gjukanoviç dërgoi dokumente te BIA, ndikoi në raportet e OSBE

Nga Ideal Gola
16 Shtator 2025, 19:27 | Kronikë

Jellena Gjukanoviç, e punësuar në misionin e OSBE-së në Kosovë, u deklarua e pafajshme në akuzat që rëndojnë mbi të për spiunazh në seancën e parë gjyqësore që nisi të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

E arrestuar në fund të muajit shkurt, Gjukanoviç akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën si zyrtare e programit kombëtar në qendrën rajonale në Mitrovicë pranë OSBE duke cenuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.

Me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Intelegjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë, e njohur si BIA, duke u ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndejshme”, tha Prokurori Special, Bekim Kodraliu.

Kjo ndihmë, sipas prokurorisë, është realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllahiq.

Vllahiq ka pranuar në vazhdimësi nga Gjukanoviç informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Informacionet pastaj janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA përkatësisht Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i BIA për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe zyrtarin tjetër Lubisha Bukviq ku me këtë të fundit e pandehura në disa raste edhe është takuar ne zyrat e BIA-s në Beograd.”

Në dosjen e akuzës, Gjukanoviç, që deklaroi vetë se është ende e punësuar në OSBE, përmes ndikimit nga pozita që kishte dhe sipas udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s, akuzohet se ka përpiluar raporte armiqësore ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës.

“E njëjta gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, të shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.”

Në deklarimin e saj të shkurtër, Gjukanoviç mohoi akuzat. Avokati i Gjukanoviç, Predrag Millkoviç, kërkoi që klientes së tij t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak duke u ofruar të gatshëm të japin edhe garancinë financiare.

Prokurori Kodraliu e kundërshtoi duke thënë se ekziston rreziku i largimit nga vendi i të dyshuarës dhe përsëritja e veprës penale meqë e njëjta ende është e punësuar në misionin e OSBE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos