Fëmija 1 vjeç humb jetën në spitalin e Pejës, policia nis hetimet

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2025, 09:59 | Kronikë

Fëmija 1 vjeç humb jetën në spitalin e Pejës, policia

Një fëmijë 1 vjeç e gjysmë ka humbur jetën në Spitalin e Pejës. Policia e Kosovës ka hapur rast për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.

Sipas policisë, prindi e kishte dërguar fëmijën fillimisht më datë 5 nëntor në spital e më pas ishte liruar dhe kishte kërkuar ndihmë sërish një ditë më pas, shkruan A2.

Nga Spitali i Pejës kanë konfirmuar se fëmija ishte liruar për në shtëpi të mërkurën. “Fëmija është pranuar në spital në orën 22:15 të datës 5 nëntor 2025 nga mjeku kujdestar, me ankesa për të vjella. Pas trajtimit të ofruar, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai është liruar me rekomandimin që të përcillet nga afër dhe, në rast nevoje, të rikthehet për kontroll shtesë”, u tha nga spitali.

Në mëngjesin e datës 6 nëntor, rreth orës 07:00, fëmija është dërguar sërish në spital, por sipas këtij institucioni shëndetësor këtë herë në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe probleme serioze në frymëmarrje.

“Menjëherë është trajtuar nga ekipi i mjekëve me oksigjen dhe terapi mbështetëse, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes është kryer intubimi nga ekipi i anesteziologëve. Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra me përkushtim dhe sipas protokolleve mjekësore, fatkeqësisht fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50”, vijoi deklarata e Spitalit të Pejës.

Spitali tha se mbetet në dispozicion të institucioneve përgjegjëse për çdo sqarim shtesë, duke respektuar dhimbjen dhe privatësinë e familjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos