Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit A.V., i dyshuar për veprat penale të spiunazhit dhe mbajtjes së paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të PSRK-së, A.V. akuzohet se ka mbledhur dhe ka dërguar informacione dhe dokumente të rëndësishme Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (BIA), të cilat cënojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës, si dhe jetën e zyrtarëve shtetëror dhe qytetarëve.
Informacionet dhe dokumentet u përcollën përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike me zyrtarin e lartë të BIA-së, R.G., shef i njërës prej qendrave të agjencisë në Serbi, shkruan A2 CNN.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, autoritetet sekuestruan një armë model Crvena Zastava dhe një spërkatës gazi lotsjellës. (A2 Televizion)