Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten një person, i cili akuzohet për kanosje të zyrtarëve të ndryshëm shtetërorë të institucioneve të Kosovës, raporton A2 CNN.
Pas një operacioni ku janë përfshirë disa njësi policore, gjatë kontrolleve në një banesë në Prishtinë, u bë e mundur arrestimi i të dyshuarit dhe sekuestrimi i disa pajisjeve, si laptop, tablet dhe telefon.
Dyshohet se personi i dyshuar, në mënyrë të vazhdueshme, përmes e-maileve ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës si: Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës, Universitetit të Prishtinës, si dhe në drejtim të zyrtarëve të këtyre institucioneve.
Mes personave të kërcënuar nga ky person është edhe Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë në Kosovë dhe kandidate e Vetëvendosje për postin e kryetares së Parlamentit të ri.
Pak ditë më parë, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë përmes një emaili të dërguar në adresën zyrtare të Presidencës. Lajmin e ka konfirmuar për A2 CNN këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, i cili bëri të ditur se kërcënimi është marrë me seriozitet dhe është përcjellë menjëherë tek autoritetet përkatëse.
(A2 Televizion)