Sulmi ndaj KFOR-it dhe policisë së Kosovës, arrestohet pas dy vitesh i dyshuari

Nga A2 CNN
24 Gusht 2025, 15:43 | Kronikë

Sulmi ndaj KFOR-it dhe policisë së Kosovës, arrestohet pas dy

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 majin e dy viteve më parë në Zveçan.

Sipas policisë së Kosovës, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuza për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, sulm ndaj personit zyrtar dhe huliganizëm.

Ndalimi i tij u krye pasi dyshohej për arratisje, pasi punon dhe qëndron në Serbi, si dhe ekzistonte mundësia për manipulimin apo zhdukjen e provave.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij u sekuestruan një telefon, uniforma ushtarake, dy USB dhe një bluzë me mbishkrim nacionalist.

Njoftimi i Policisë Kosovë

Sot, me datë 24 Gusht 2025, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, përmes rrugëve operative, ka pranuar informacion se personi i dyshuar Lj. M, i cili dyshohet se ka marr pjesë aktive në rastin e sulmit ndaj KFOR-it dhe Policisë të datës 29.05.2023 para objektit të komunës në Zveçan, ka hyrë nga Serbia në Kosovë. 

Lidhur me rastin është informuar Prokuroria Speciale dhe në koordinim me Prokurorinë Speciale, duke konsideruar peshën e veprave të kryera dhe rrezikun potencial për arratisje pasi që i dyshuari punon dhe qëndron në Serbi, si dhe mundësinë për manipulimin apo zhdukjen e provave, Policia e Kosovës ka ndërmarr veprime për ndalimi i tij si dhe sigurimin e prezencës së tij  në procedurën penale që zhvillohet ndaj tij, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë. 

I dyshuari Lj.M,  është ndaluar nga Policia e Kosovës në Komunën e Zveçanit  dhe me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive, është realizuar kontrolli në shtëpinë e tij, me mbështetjen edhe nga DRP Mitrovicë Veri.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një telefon uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një ‘maicë’ me mbishkrim nacionalist të cilën dyshohet se e ka pasur të veshur ditën kritike.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit dhe të përkthyesit dhe me vendim të prokurorit të është dërguar në mbajtje për 48 orë.  Po ashtu me vendim të prokurorit është inicuar rasti për veprat penale : ‘Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qellim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës se Kosovës’., ‘Rrezikim i personave nen mbrojtje ndërkombëtare’,  ‘Sulm ndaj personit zyrtarë’ dhe  ‘Pjesëmarrja në turmë që krye vepra penale dhe huliganizëm’. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos