Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar sot një zyrtar policor pas incidentit që kishte shkaktuar në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë.
Në këtë incident dyshohet se zyrtari tashmë i arrestuar policor kishte sulmuar fizikisht kolegun e tij gjatë orarit të punës, raporton KosovaPress.
Zyrtari i arrestuar policor shërben në Stacionin Policor Jugu - Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë dhe ndaj të njëjtit me vendim të prokurorit është caktuar masa e ndalimit 48 orë.
Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së dhe në interes të hetimit IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e këtij zyrtari policor.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti. (A2 Televizion)