Prokuroria Speciale ka ngritur akuzë në mungesë ndaj 21 personave si përgjegjës për dëbimin e 863 mijë shqiptarëve të Kosovës në periudhën janar-qershor të vitit 1999.
Sipas provave të mbledhura, të pandehurit duke ushtruar kontroll dhe autoritet efektiv mbi forcat e armatosura të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë dhe policinë e Serbisë kanë pasur dijeni apo arsye të mjaftueshme për të ditur se pjesëtarët e këtyre forcave kanë kryer veprime të ndaluara rreptësisht nga e drejta ndërkombëtare. Akuza e ngritur për krime lufte kundër popullatës civile është dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shkruan A2 CNN.
“Prokuroria vlerëson se të pandehurit në pozita dhe funksionet që kanë ushtruar kanë dështuar të marrin masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar këto krime, kanë dështuar për të ndëshkuar autorët e tyre si dhe kanë dështuar për të raportuar ato të autoritetet më të larta ndonëse kishin kompetenca ligjore dhe funksionale për të ndërmarr apo për të bërë një veprim të tillë”, tha Atdhe Dema, prokuror i rastit.
Veprimet e të pandehurve përfshijnë edhe shkatërrimin e pronave private të qytetarëve civilë shqiptarë.
“Këto veprime përfshijnë shkatërrim sistemike të pronës civile, përfshirë djegien e shtëpive dhe infrastrukturës, sulmet e drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike e që në fund kanë rezultuar me dëbim të detyruar masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje”, tha Atdhe Dema, prokuror i rastit.
Prokuroria tha se ka ndërmarr të gjitha veprimet ligjore për të siguruar prezencën e të pandehurve, por nuk kanë arritur, për çka tha se tashmë ka fletërrreshtim ndërkombëtar për të njëjtit. Akuza i ngarkon të pandehurit në bazë të ligjeve të ish-Jugosllavisë për krime lufte.
“Përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe të përgjegjësisë për vuajtjet që janë shkaktuar gjatë luftës në Kosovë, është bërë një punë e madhe dhe e përkushtuar për të siguruar që aktakuza të mbështetet në prova përtej çdo dyshimi të bazuar mirë pavarësisht se a është ngritur në mungesë të të pandehurve”, tha Blerim Isufaj, u.d. i kryeprokurorit të shtetit.
Shqiptarët e dëbuar nga Kosova ishin dendur kryesisht në rrethet e Kukësit, Hasit dhe Tropojës si dhe në Maqedoninë e Veriut. (A2 Televizion)
Lufta e Kosovës, akuzë ndaj 21 personave për dëbimin e mbi 860 mijë shqiptarëve
