Vrasja e Liridona Ademaj, familja e saj kërkon dënim kapital për Naim Murselin

Nga A2 CNN
14 Korrik 2025, 17:45 | Kronikë

Për herë të parë ka dëshmuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademit, e cila u vra në moshën 30 vjeçare, më 29 nëntor të vitit 2023, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Vëllai i saj foli për natën kritike para trupit gjykues, duke thënë se kishin qëndruar zgjuar deri në mëngjes. Ai tha se ishte në punë kur bashkëshortja e telefonoi, duke i thënë që të shkonte në shtëpi, sepse Liridona ishte vrarë.

Ademaj tha se, kur kishte pyetur për Naimin, i ishte thënë se ai po jepte deklaratë në polici. Rreth një orë e gjysmë më vonë, Naimi kishte dalë nga stacioni. Ademaj tha se pasi fëmijët ishin transferuar në Suedi, ai kishte kërkuar që t’i takonte dhe t’i pyeste për atë që kishte ndodhur.

Ademaj tregoi se Murseli nuk kishte dashur të shkonte në morg për të parë trupin e bashkëshortes.

“I thashë Naimit a mundemi me shku në morg me e pa Liridonën. Ai më tha ‘jo, nuk na lejohet’. Pas 10 minutash e kam thirrur vetë spitalin dhe u kam thënë se jam vëllai i Liridonës dhe nëse janë kryer të gjitha procedurat, a mund të vijmë me pa trupin. Kemi shkuar në morg, me ne erdhi edhe Naimi me shoferin e tij. Mjeku na tha ‘nëse keni problem, mos hyni’. Aty Naimi tha ‘kam problem me zemër dhe nuk e di a mund ta shoh’. Djali i agjës insistoi që Naimi të vinte. Ai erdhi deri te dera, e pa prej dere dhe nuk hyri brenda”, tha ai.

Leonard Ademi në përfundim të dëshmisë së tij kërkoi që dënimi ndaj Naim Murselit të jetë kapital.

Ndërkohë një moment i pazakontë ndodhi kur Naimi, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, iu drejtua vetë Leonardit me pyetjen: “E kam një pyetje për Leonardin. Për 13 vjet martesë, a është ankuar ndonjëherë motra jote për mua apo për raportin tonë?”

Në fund të pyetjeve, Naim Murseli iu referua dy motiveve të përmendura në aktakuzë dhe e pyeti Ademajn se cilin e beson si më të mundshëm. “Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive: njëra që ka të bëjë me financa dhe kinse me sigurim jetësor – që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor se si janë kushtet. Motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar. Cilin motiv e beson Leonard Ademaj?”, pyeti Murseli.

Deklarata hodhi dritë mbi një episod të errët të martesës së çiftit, që, sipas dëshmisë, kishte lënë gjurmë emocionale tek viktima, vetëm pak muaj para krimit tragjik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos