Policia ndalon ndihmësin e Petkoviqit pas fjalimit kundër UÇK-së

Nga A2 CNN
18 Korrik 2025, 22:45 | Kronikë

Policia ndalon ndihmësin e Petkoviqit pas fjalimit kundër

Ministri në detyrë për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se Policia e Kosovës e ka ndalur të premten ndihmësdrejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, pas një fjalimi që ka mbajtur gjatë ditës në Rahovec, qytet në pjesën jugperëndimore të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se Popoviq e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore.

“Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë”.

Mes tjerash, ministri ka thënë se Kosova, si shtet demokratik dhe sovran, nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë e çka më pak të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.

“Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petkoviqit në Kosovë.

“Ky është mentaliteti i vartësve të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal”, kanë thënë këto organizata përmes një postimi në Facebook.

Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos