U arrestua nën dyshimet për korrupsion, ‘Specialja’ ndalon për 48 orë prokurorin në Prizren

Nga A2 CNN
27 Tetor 2025, 16:30 | Kronikë

U arrestua nën dyshimet për korrupsion, ‘Specialja’ ndalon

Një prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit është arrestuar të hënën në vendin e tij të punës nën dyshimin se kishte pranuar ryshfet, njoftuan autoritetet.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se prokurori, i identifikuar me inicialet B.Sh., është dërguar në paraburgim për 48 orë.

Hetuesit policorë kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit, për të cilin prokurori do të kërkojë paraburgim, thuhet në njoftim.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale”, tha Prokuroria.

Betimi për Drejtësi, medium i specializuar raportime në fushën e drejtësisë, tha se prokurori i arrestuar është Beqë Shala.

Sipas Betimit për Drejtësi, ai u arrestua teksa kjo media po kryente një hulumtim për këtë prokuror, duke pretenduar se posedon një video-incizim të Shalës duke pranuar ryshfet.

Shala është takuar me një avokate më 25 gusht të vitit 2022 dhe në këtë takim, të zhvilluar në veturën e prokurorit, avokatja i jep Shalës 350 euro ryshfet për të mos paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pas ndalimit të klientit të saj për 48 orë, bazuar në këtë video-incizim, që Betimi për Drejtësi tha se e ka siguruar.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, një person zyrtar që në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthortë kërkon ose pranon ryshfet në mënyrë që ai të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, mund të dënohet me gjobë ose me burgim nga një deri në tetë vjet.

Personi zyrtar po ashtu mund të dënohet me 12 vjet burgim nëse veprimi i kryer është në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Po ashtu, ky kod parasheh dënime edhe më të larta me burg, përkatësisht deri në 15 vjet burgim, nëse vepra penale rezulton në dobi materiale në vlerën që kalon 15 mijë euro./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos