Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, teksa ka vijuar gjyqi kundër tre akuzuarëve Vladimir Toliç, Dushan Maksimoviç dhe Blagoje Spasojeviç.
Këtë të mërkurë u thërrit të dëshmonte zyrtari policor i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë, Mirsad Kryeziu, i cili mbeti i lënduar në sulm. Kryeziu tregoi se gjatë një patrullimi të zakonshëm në Banjskë kishin parë dy kamionë që kishin bllokuar urën e fshatit dhe më pas kishin njoftuar eprorët. Nuk kaloi shumë kohë, para se të dërgoheshin edhe dy patrulla policore të pikës policore në Zveçan, pjesë e të cilave ishte edhe rreshteri i ndjerë Afrim Bunjaku.
Dëshmitari tregoi se pasi kishte hipur në kamionë kishte ndodhur shpërthimi i parë nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku. Siç rrëfen, ai ishte mbuluar me gjak ndërsa plagën më të madhe viktima e kishte pasur në fyt: “Kam hipur në kamionë dhe e kam hapur derën, posa e kam hapur derën në ato momente kam dëgjuar një shpërthim, një detonim dhe kanë filluar gjuajtjet në drejtim të pozicioneve tona. Unë për një moment jam larguar nga kamioni dhe jam nisur në drejtim të policëve ku ata ishin të vendosur dhe në atë moment gjatë së shkuarës aty kam vërejtur se nga ai detonim njëri nga pjesëtarët tanë që në fakt ishte Afrim Bunjaku ishte i shtrirë për tokë dhe ishte i mbuluar pothuajse me gjak sepse detonimet që kishin bërë nga grupi tashmë terrorist mund ta quaj ai ishte plagosur në fyt, plaga më e madhe e tij ishte në fyt dhe kishte gjakderdhje të madhe. Unë iu afrova afër, ishte e pamundur që të bëje një ndalje të gjakderdhjes apo të jepja një ndihmë sepse në drejtimin tonë ishin gjuajtje të pareshtura të kalibrave të ndryshme. E kam tërhequr Afrimin nga vija e zjarrit, por jo edhe aq shumë dhe kam filluar të shtyj në drejtim të tyre”.
I pyetur nga prokurori për intensitetin e sulmit të 23 shtatorit në Banjskë, zyrtari policor tha se ky sulm kishte qenë i organizuar mirë dhe ushtarak: “Intensiteti ka qenë jashtëzakonisht i madh edhe një intensitet pothuajse mund ta quajmë tamam ushtarak dhe i organizuar mirë për këtë sulm. Ishte një organizim jashtëzakonisht mirë i strukturuar dhe i organizuar mirë. Për shkak të errësirës që ka qenë unë kam vërejtur njerëz të uniformuar dhe të armatosur shumë mirë, të armatosur rëndë, disa me maska e disa pa maska, mirëpo identifikimin e tyre nuk mund të bëhet për arsye të errësirës dhe njerëzit që ishin me uniforma ata duken të gjithë gati se të njëjtë... Ne jemi goditur nga huls krahu, tromblona dhe gjitha armët që sulmohen dhe përdoren nga një organizim që këta unë e them me plot besim janë të organizuara vetëm, strukturat ushtarake”. (A2 Televizion)