
Gazetari Roland Qafoku tha se pretenca e Prokurorisë Speciale për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një dënim me burg përjetë. Sipas tij, ky dënim synon të dënojë vetë luftën, jo individët.
“45 vjet unë e quaj burgim i përjetshëm. Nuk është një kërkesë e zakonshme dhe unë them që me burgim të përjetshëm është kërkuar për të dënuar epopenë e lavdishme, rezistencën e UÇK-së dhe kombit shqiptar”, tha Qafoku në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
Ai shtoi se kjo përpjekje nuk mund të barazohet me masakrat që kanë bërë serbët në Kosovë. “Në vitin 99, midis shumë e shumë lajmeve që raportoheshin në atë kohë, unë kam raportuar një lajm që kam frikë që nuk e shkruan dot tani, se nuk e pranon YouTube dhe as Google... Në spitalin ushtarak, i mbushur plot me banorë të Kosovës. Po e them banorë, jo të rezistencës së UÇK-së, por popull, civilë ... Tregonin që një skuadrilje serbe i preu kokën një foshnje një vjeç, dy vjeç, dhe e hodhën në tenxheren e supës dhe i thoshin babait ta hante”, tregoi Qafoku.
“Kam qenë me një gazetar të “The Independent” në spitalin ushtarak, në prill të vitit 1999, dhe ai gazetari anglez tha: “Këtij kombi, këtij populli i duhen parë gjenet, i duhen studiuar gjenet”. Sot, mbas kaq vitesh, ata që synuan të mbronin këtë popull, kërkohet të dënohen me burgim të përjetshëm”. (A2 Televizion)